29 Jun
Pas shpalljes së rezultateteve të përzgjedhjes, sipas Thirrjes publike për mbështetje të OJQ-ve në fushën e Artit dhe Trashëgimisë Kulturore, KATEGORIA E PARË: Mbështetje për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të Artit dhe Trashëgimisë Kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, rezulton se Mural Fest Kosova REFUZOHET dhe NUK do të mbështet financiarisht sipas vendimit të komisionit të caktuar për vlerësimin e projekteve. Lidhur me këtë vendim nga shpallja e rezultateve preliminare të publikuara më datë 19.06.2023, arsyetimi është që NUK e kalon vleresimin administrativ- Nuk e ka bashkangjitur formularin e aplikimit si dhe buxhetinn – gjë që nuk qëndron meqenëse si pasojë e problemeve teknike në platformën e MKRS, dokumentet nuk kanë arritur në duart e komisionit vlerësues. Për këtë arsye është bërë ankesa drejtuar organeve të ministrise, ku janë dorëzuar edhe dokumentet të cilat thuhet që kanë munguar!
Mural Fest Kosova ka përmbyllur festivalin me sukses të lartë ku ka patur artistë të ftuar të nivelit më të lartë e të dëshmuar ndërkombëtarisht, dhe ne kemi llogaritur në ato mjete financiare, por që me shumë keqardhje sot morëm vesh që pas shpalljes së rezultateteve finale, organizata jonë nuk është përkrahur nga MKRS.
Përvec festivalit këto mjete do të shfrytëzoheshin edhe për shndërrimin e disa hapësirave publike përmes artit, gjë që do i kontribuone edhe promovimit të artit dhe ngritjen e kapaciteteve të të rinjve në fushën e artit dhe kulturës.
Duke pasur parasysh faktin që jo të gjithë njerëzit kanë mundësi të shohin art duke vizituar galeritë e artit në Kosovë, veçanërisht në qytetet më të vogla ku nuk ka ekspozita gjatë gjithë vitit, ne po punojmë të transformojmë Ferizajn në një Galeri Urbane. Kjo do t’ua mundësojë qytetarëve dhe vizitorëve në numër të madh të shohin vepra artistike nga artistë të shquar ndërkombëtarë dhe vendas. Efekti i madh që muralet kanë pasur në zhvillimin e kulturës në nivel lokal mund të vërehet që në momentin kur hyni për herë të parë në qendër të qytetit, dhe kjo ka bërë që Ferizaj të njihet si një Qytet i Muraleve.
Përveç kësaj, platforma që ka krijuar Mural Fest Kosova ka krijuar një ambient për zhvillimin e të rinjve entuziastë nga fusha eartit. Këta të rinj nuk kishin marrë kurrë një mbështetje të tillë nga institucionet publike në vend. Aftësitë e kultivuara brenda MuralFest Kosova tani po manifestohen përmes pjesëmarrjes së artistëve të rinj tanë në festivale dhe projekte të mëdha, të organizuara në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto aktivitete realizojnë qëllimet e programit tonë si organizatë jofitimprurëse, për të cilët këto mjete financiare do të ishin një ndihmesë shumë e madhe.
Sipas kërkesave dhe kritereve që dalin nga kjo thirrje, MuralFest Kosova i ka plotësuar ato, prandaj jemi shumë të zhgënjyer me njoftimin që për vitin 2023, organizata jonë nuk po përkrahet financiarisht nga MKRS. Konsiderojmë që ky vendim është i padrejtë, për të cilin do të dorëzohet edhe ankesë drejtuar instutitucionit përkatës!
Mos përkrahja ndaj Mural Fest Kosova si organizatë, është mos përkrahje ndaj mbi 140 të rinjve që janë të angazhuar në aktivitetet tona të edukimit, me qëllim të zhvillimit profesional. Ne i drejtohemi kësaj çështjeje me shpresën se reagimi ynë nuk do të injorohet dhe se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta njohë përfundimisht kontributin e MuralFest Kosova në promovimin e kulturës dhe artit në vend.
Me respekt,
Stafi i Mural Fest Kosova