Mural Fest Kosova po kthehet edhe këtë vit dhe edicioni i 11-të vjen me temën “ME LUJTË”. Për një javë, qyteti do të mbushet me ngjyra, murale, muzikë, punëtori, artistë vendorë e ndërkombëtarë dhe plot njerëz që duan të krijojnë diçka bashkë.
Vullnetarizmi ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e Mural Fest Kosova. Përgjatë viteve, shumë prej vullnetarëve që kanë qenë pjesë e edicioneve të kaluara janë artistë ose në krijim e sipër. Përmes festivalit, ata kanë pasur mundësi të njihen nga afër me artistët e ftuar, të shohin mënyrën se si punojnë dhe të marrin frymëzim për të vazhduar rrugëtimin e tyre artistik. Shpresojmë që edhe përvoja juaj në festival t’ju frymëzojë dhe t’ju shtyjë të vazhdoni të krijoni edhe më tutje.
Për shumë të tjerë, vullnetarizmi në festival ka qenë një pikënisje për të vazhduar angazhimin në komunitet dhe për t’u bërë pjesë e iniciativave të ndryshme shoqërore. Prandaj, për ne vullnetarët janë shumë të vlefshëm. Ju shohim si brezin e ri të komunitetit tonë, që zgjedh të angazhohet, të krijojë dhe të kontribuojë për shoqërinë.
Nëse jeni kreativ, aktiv, kurreshtarë dhe dëshironi të njihni njerëz të rinj, të mësoni gjëra të reja dhe të dilni nga rutina e përditshme, eja bëhu pjesë e ekipit të Mural Fest Kosova.
Pse të bëhesh vullnetar/e?
- Bëhu pjesë e edicionit të 11-të të Mural Fest Kosova,
- Puno dhe bashkëpuno me artistë vendorë e ndërkombëtarë,
- Mëso teknika dhe mënyra të reja të punës artistike,
- Fito përvojë në organizimin dhe realizimin e një festivali,
- Mëso si të bashkëpunosh në grup,
- Zhvillim të aftësive në komunikim, organizim, punë ekipore dhe menaxhim të aktiviteteve,
- Përvojë që mund ta shtosh në CV dhe portfolio,
- Mundësi për të qenë pjesë e një komuniteti kreativ dhe për të kontribuar në krijimin e artit në hapësirat publike,
- Njih njerëz të rinj dhe krijo shoqëri të reja,
- Kujtime, eksperienca dhe njerëz të rinj me të cilët mund të lidhesh edhe pas festivalit,
- Një mënyrë për të dalë nga rutina, me qenë kreativ/e dhe me e përjetu festivalin nga brenda.
Kriteret
Po kërkojmë vullnetarë:
- Të moshës 15–21 vjeç,
- Të jeni kreativë, aktivë dhe të motivuar,
- Të keni dëshirë të punoni në ekip,
- Të jeni kuriozë për të mësuar dhe provuar gjëra të reja,
- Të keni dëshirë të bëheni pjesë e aktiviteteve kulturore dhe artistike.
Nëse je gati për disa ditë me më shumë ngjyra, njerëz, art, muzikë dhe energji, Mural Fest Kosova po ju pret.