Jemi shumë të lumtur t’ju prezantojmë dizajnet nga tri grupet e artisteve të rinj të cilët në baza të informacioneve të mbledhura nga qytetarët e Ferizajt, kanë punuar propozimet e tyre. Ky projekt është në kuadër të iniciativës #AsphaltArt e cila përkrahet nga Bloomberg Philantropy. Nga këto tri dizajne, fituesit do të përzgjedhen nga pëlqimet dhe shpërndarjet e qytetarëve për të vendosur se cka do të punohet në nënkalimin e këmbësorëve në muajin në vazhdim. Periudha për të cilën do mblidhen statistikat është 10 ditore, pra deri me datën 13 Maj.
Propozimi nga grupi që përbehet prej: Emona Deda, Besmira Fejzullahu, Agnesa Sejdiu, Donjeta Haziri dhe Marild Kycyku.
“Dizajni ynë ka tematikën të bazuar në opinionet e qytetarëve të Ferizajt, ku gjatë intervistimit ata kanë dhënë idetë e tyre se si mund të dukej nënkalimi. Një nga kërkesat e shumta nga qytetarët ishte shndërrimi i nënkalimit në një hapësirë të këndshme dhe që t’i dedikohet fuqizmit të gruas. Ne si grup punuan që t’i transformojmë ato në forma kreative të artit urban modern dhe bashkëkohore duke ju përmbajtur kësaj teme. Ndërhyrja jonë artistike do quhet “Poise” që nënkupton paraqitje të fragmenteve të cilat përfaqësojnë fuqinë, vetëbesimin dhe durimin. Një nga muralet kryesore vecse paraqet fuqinë që gruaja kishte që të marrë frymë dhe të jenë të lira. Pjesa tjetër tregon ndjeshmërinë, dashurinë dhe kujdesin që i ka dhënë shoqërisë, familjes dhe komunitetit. Në tërësi do jetë një paraqitje e emocioneve të ndryshme, por që duke ua dedikuar grave, ne duam të njohim kontributin e tyre si shtyllë e shoqërisë që është.”
Propozimi nga grupi që përbehet prej: Rema Salihu, Argjenda Azemi, Etrit Osmani, Hana Haziri dhe Valmira Sylejmani.
“Nisur nga anketa me qytetarë, kanë qenë tri kërkesa kryesore: rikujtim të së kaluarës,krijime moderne si dhe murale kushtuar barazisë gjinore. Meqenëse këto murale po ua kushtojmë Ferizajt, prandaj edhe kemi bërë ndërlidhjen mes këtyre tri temave. Në njërën anë kemi hartën e qytetit ku është gjendja ekzistuese, ku kemi paraqitur disa nga ndërtesat më të vjetra të qytetit të cilat duhet të mbrohen medoemos, si dhe ndërtesa e rrënuar e shkollës fillore Tefik Canga, e cila ka mbetur vetëm në kujtesën e qytetarëve. Po e risjellim atë, në mënyrë që edhe gjeneratat e reja të marrin mësim që duhet mbrojtur këto që kemi e mos të lihen në harresë. Në pjesën e shkallëve për të hyrë në nënkalim në rr. Dëshmorët e Kombit e shihni edhe Planin Rregullativ të vjetër të qytetit të Ferizajt që asnjëherë nuk është përfillur, përderisa tash shohim kaos urbanistik. Kurse te pjerrinat, janë të paraqitur elemente të gjetura të kulturës së lashtë ilire, por të modernizuara përmes përdorimit të ngjyrave. Atyre vajzave të reja që kërkonin me patjetër murale për barazi gjinore, kemi zgjedhur për juve figurën e Mbretëreshës Teutë. Pasiqë kur gjatë antikitetit kur nuk ka patur asnji grua në pozita vendimarrëse, në Ilirinë e lashtë kemi Teutën. Atë jua kushtojmë juve dhe të gjitha vazjave tjera, për t’ua rikujtuar që mund të arrini gjithcka që doni. Me shpresë që do ju pëlqejë, mezi presim që t’i pikturojmë këto murale për juve!”
Propozimi nga grupi që përbehet prej: Antika Veseli, Endrina Luzha, Gentrit Osmani, Liza Ismajli dhe Doruntina Qosa.
“Fuqia e trashëgimisë kulturore qëndron në aftësinë e saj për të bashkuar komunitetet dhe për të ofruar një ndjenjë identiteti dhe përkatësie. Një shembull i tillë këto skica që bazohen në motive nga trashëgimia jonë kulturore, por i riinterpreton ato për t’u përshtatur brenda një konteksti më modern. Kë transformime jo vetëm që kanë rezultuar në vepëra arti estetikisht të këndshme, por gjithashtu promovojnë ruajtjen dhe kuptimin e trashëgimisë kulturore. Duke ekspozuar dhe ruajtur këto motive në kohët moderne, brezat e rinj lidhen me rrënjët e tyre kulturore dhe kuptojnë më mirë historinë e tyre. Duke përfshirë motive tradicionale në artin modern ne kemi synuar të krijojmë një urë lidhëse midis së kaluarës dhe së tashmes, duke treguar se si trashëgimia kulturore mund të vazhdojë të zhvillohet dhe të përshtatet. Kjo nxjerr në pah rëndësinë kulturës së shoqërisë tonë dhe nxit një mirëkuptim e vlerësim për këtë të fundit. Duke bashkëngjitur fotot e punimeve tona, ne jemi të sigurt se do të keni mundësinë të kuptoni idenë dhe vizionin tonë, si dhe të ndjeni efektin që këto punime kanë tek njerëzit që i shikojnë.”
VENDI I PARË
VENDI I DYTË